Këshilli Bashkiak Shkodër ka rivlerësuar asetet e Vllaznisë, por në janar vlera mund të shkojë më shumë, ndërsa “Loro Boriçi” nuk llogaritet
Pas 3 mbledhjesh radhazi, më në fund dje drejtuesit e Bashkisë Shkodër kanë arritur të kalojnë në Këshillin Bashkiak miratimin e kalimit të fushës sportive “Reshit Rusi” si aset i shoqërisë aksionare Vllaznia. Bashkë me të, në mbledhjen e djeshme është miratuar edhe vlera e stemës së klubit “Vllaznia” dhe të gjitha këto së bashku e kanë çuar tashmë vlerën e këtij klubi në 2.8 milionë dollarë.
Çka do të thotë se gradualisht drejtuesit e Bashkisë Shkodër po bëjnë gati të gjithë dokumentacionin që duhet për ta nxjerrë në shitje klubin e futbollit që sot për sot, menaxhohet plotësisht nga ky institucion, i cili zotëron edhe 100 për qind të aksioneve të saj. Kështu, nëse në dy mbledhjet e mëparshme nuk u arrit miratimin e kalimit të fushës sportive “Reshit Rusi” në varësi të KF “Vllaznia” sh.a., dje kjo gjë është realizuar pa as më të voglin problem, teksa të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak e kanë miratuar këtë gjë.
Vlera e truallit ku është e ndërtuar kjo fushë është llogaritur me shumë kujdes, në bazë të çmimeve që Bashkia Shkodër ka vendosur për zonat e ndryshme të qytetit dhe bashkë me to, është llogaritur edhe investimi që është bërë vitin e kaluar dhe të gjitha këto së bashku kanë kapur një vlerë te 2 milionë dollarët.
Por në mbledhjen e djeshme, krerët e bashkisë kanë kaluar si aset të shoqërisë aksionare Vllaznia edhe stemën e klubit, e cila sipas ligjit në fuqi, kap vlerën e 30 përqindëve të vlerës aktuale. Që do të thotë se stema e Vllaznisë kushton 63 milionë lekë të reja. Duke i shtuar gjithë këtyre shifrave edhe 18 milionë lekët që Bashkia Shkodër ka hedhur si aksione deri tani, e gjithë shuma ka arritur në 2.8 milionë dollarë.
Kuptohet që në ditët në vazhdim do ketë edhe përllogaritje të tjera, si vlera e futbollistëve aktualë, historia e trofetë, ndërkohë që stadium “Loro Boriçi” nuk do kalojë në varësi të klubit të futbollit, por do të mbetet pronë e Bashkisë Shkodër.
Stadiumi Ndoshta interesi i investitorëve që mund të kenë interes për të blerë Vllazninë do ishte më i madh nëse edhe stadiumi do ishte pjesë e këtij klubi me histori 92-vjeçare, por drejtuesit e bashkisë nuk mendojnë kështu, sepse stadiumi do mbetet gjithmonë në pronësi të saj. Ende nuk është shumë e qartë nëse edhe toka ku mendohet të ndërtohet kompleksi sportiv do kalojë apo jo në varësi të klubit të futbollit, por me shumë siguri, kjo do ndodhë sa të plotësohet i gjithë dokumentacioni përkatës për pronësinë e saj.
Nëse do ndodhte edhe kjo, sigurisht që vlera e klubit “Vllaznia” do të rritej shumë. Bashkia Shkodër ka ndër mend kësisoj që nga janari të nxjerrë në shitje aksionet e kësaj sh.a.-je, por për momentin asnjë biznesmen nuk ka dalë publikisht të thotë se ka interes për të blerë një kuotë të caktuar aksionesh.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak Shkodër nuk është marrë në shqyrtim kërkesa e gjashtë ish-donatorëve të këtij klubi, zotërinjve Valter Fushaj, Agron Çela, Xhevdet Amuli, Elvis Myftar Çela, Pjerin Fushaj dhe Flamur Hoxha për njohjen e kontributeve të tyre financiare në vite për këtë klub si aksione të tyre në vlerësimin që po i bëhet klubit nga drejtuesit e bashkisë. Një kërkesë e tillë pritet të merret në shqyrtim në mbledhjen e ardhshme. Megjithatë, Vllaznia deri tani e ka rritur vlerën e saj në 2.8 milionë dollarë.