“Nuk ka takime të lehta dhe të vështira të gjithë takimet janë njëlloj. Prandaj në Fier kemi një objektiv të qartë dhe kërkojmë vetëm fitore. Shpresoj që kthesa në rezultate të fillojë që nga Fieri”, thotë filimisht sulmuesi shkodran, Armando Vajushi, një nga talentet e ekipit të Vllaznisë. Për Vajushin tani epiqendra e të gjithë bisedimeve zhvendoset në takimin që do të luhet këtë fundjavë në Fier. Një situatë jo e mirë për ekipin e Vllaznisë, por gjithsesi e kalueshme edhe sipas sulmuesit Vajushi. “Ne duhet të bëjmë tani më të mirën për ekipin tonë dhe të lëmë pas gjithçka atë që ka ngjarë në këto ditë. Jemi profesionistë dhe në fushën e blertë duhet të sillemi si të tillë”, shprehet ai.
Mungesat - Megjithatë ekipi shkodran në këtë përballje do të ketë disa mungesa të rëndësishme, por që gjithmonë sipas Vajushit të gjithë sëbashku me një kolektivitet do të tregojnë se mungesat do të rikuperohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Ekipi do t’i mungojnë përsëri mbrojtësi Petroviç por edhe mesfushori, njëheraz kapiteni Belisha. Por ajo që shpresohet edhe nga vetë sulmuesi i ri është që të tjetët të bëjnë sakrificën e duhur në mënyrë që të jenë të vlefshëm për këtë skudër në këto momente. “Nuk duhet të biem në pesimizëm pas mungesave që kemi. Por çdo lojtar që është pjesë e ekipit në atë përballje duhet të bëjë më të mirën në mënyrë që të arrijë atë që të gjithë dëshirojmë. Ne duhet të tregojmë vlerat e një skuadre dhe besoj se këtë duhet të bëjmë që në takimin me Apoloninë. Besoj që gjendja e gjithë të jetë më e mira e mundshme”, vijon Vajushi.
Vlerësimi - Takimi me Apoloninë në asnjë moment nuk ka qenë i lehtë për ekipin e Vllaznisë. Madje edhe atëherë kur diferencat mes skuadrave kanë qenë të mëdha. Ndoshta këtë herë vetëm emrat e dy klubeve dhe historiku i tyre mund të bëjnë diferencën. Për sulmuesin takimi do të jetë tejet i vështirë edhe për më tepër ku dihet se ekipi vendas vjen në këtë sfidë me një moral më të lartë pas barazimit me ekipin e Flamurtarit, në fushën e kësaj të fundit. “Do të kemi një përballje të fortë. E thashë edhe në fillim që përballje me Apoloninë nuk do të jetë e lehtë në asnjë aspekt. Faktori fushë është një pengesë për ne, pasi nuk kemi treguar se dimë të bëjmë më të mirën në këtë sezon. Ndërsa në krahun tjetër ekipi i Apolonisë ka një moral më lart pas atij barazimi të marrë në Vlorë. Pavarësisht se nuk ka shumë emra cilësorë në përbërje përsëri Apolonia ka treguar se ka një grup të mirë. Kjo është tepër domethënëse. Megjithatë vlerësimit që unë kam për këtë skuadër e thashë edhe në fillim se kemi një objektiv të qartë të fitojmë në këtë përballje”, ka mbyllur deklarimin e tij sulmuesi shkodranë, Armando Vajushi.
Komentet