Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Danaj, Petroviç, Sykaj (Tafa 67’), Belisha (Gjini 79’), Muça, Gocaj, Sukaj, Erkoçeviç (Djepaxhia 58’), Vajushi. Trajner: E. Plori

Bylis: Frashëri, Shoshi, Kelmendi, Teqja, Silva, Gega, Koreshi, Kule, Popoviç (Xhafa 61’), Abazaj, Uashington (Dimo 71’). Trajner: H.Sensoj

Gjyqtarë: B. Kaimi, A. Ganci, G. Vargu

Kartonë të verdhë: Smajli, Danaj, Muça / Shoshi, Kule

Vllaznia vijon të jetë në një krizë të thellë teksa ka barazuar në shtëpi ndaj Bylisit, në takimin e vlefshëm për Kupën e Shqipërisë. Kuqeblutë e drejtuar nga Elvis Plori kanë zhvilluar një ndër ndeshjet më të dobëta të këtij sezoni duke mos realizuar asnjë goditje brenda kuadratit të portës. Shkodranët kanë qenë të dështuar në të gjitha aspektet në fushën e lojës dhe më së shumti barazimi u është dhuruar nga vetë Bylisi që nuk ka pasur aftësitë e duhura për të shënuar. Vendasit ndonëse kanë luajtur në shtëpinë e tyre kanë treguar një mungesë të dukshme motivimi dhe organizimi i lojës. Në tapetin e blertë u duk qartë se lojtarët e kanë ndjerë më shumë seç ishte menduar shkarkimin e trajnerit dhe duke transmetuar kështu një situatë aspak të mirë. Madje dhe masat ndëshkuese që drejtuesit e skuadrës kanë ndërmarrë ndaj lojtarëve nuk kanë pasur asnjë efekt. Në këtë ndeshje nuk ka pasur asgjë për të shënuar për kuqeblutë, përveç dy rasteve të krijuar nga Vajushi e Sukaj, por gjuajtjet e tyre përfunduar jashtë katërkëndëshit të mbrojtur nga Frashëri. E kundërta ka ndodhur me Bylisin që ka pasur dy raste të artë pikërisht në minutën e 39-të me anë të Abazajt e në të 69-tën me anë të Uashington, por të dy lojtarët të gjendur të zbuluar përpara portierit Vujadinoviç nuk kanë qenë të saktë në finalizim duke ngushëlluar kështu shkodranët në këto momente krize që po kalojnë. Në këtë ndeshje mund të flasësh vetëm për dështimet e radhës të kuqebluve. Së pari, sulmi ka qenë në nivel minimal, duke mos prodhuar asnjë rast të rrezikshëm. Mesfusha ishte një dështim më vete. Ndonëse Plori preferoi të luante fillimisht me tre sulmues të deklaruar, tre mesfushorët Belisha, Muça e Gocaj nuk dhanë rendimentin e duhur. Gjithsesi duhet pranuar fakti që Plopri nuk ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët pasi kanë qenë të dëmtuar apo dhe janë ruajtur për ndeshjen e radhës në kampionat. Vllaznia nuk solli ndonjë ndryshim, madje duke nxjerrë në skenë dhe dështimin e plotë të të dy krahëve të mesfushës. Ai që ka ndërmarrë më shumë daljet nga krahu ka qenë vetëm mbrojtësi Smajli. Me shumë dëshirë pritet dhe trajneri i ri që mund të marrë drejtimin e skuadrës por vështirë se gjendja do të ndryshojë sa hap e mbyll sytë.

Pas ndeshjes

E. Plori (Trajner i Vllaznisë):

“Vllaznia vijon të jetë në krizë dhe sigurisht sot ishte dhe një gjendje jo e mirë e skuadrës. Natyrisht mënyra e lojës vjen si rezultat i humbjes së besimit nga ana e lojtarëve të cilët kanë dhe një goditje psikologjike. Largimi i trajnerit ka ndikimin e vet. Kam qenë i detyruar të bëj disa lëvizje në formacion për shkak të mungesave dhe jemi munduar që së paku nga pankina të bëjmë maksimumin e mundshëm. Vllaznia duhet të ndryshojë shumë shpejt situatën. Për sa i përket rezultat sigurisht që nuk jam i kënaqur. Por duke shpresuar në një kalim të kësaj krize mendoj se jemi brenda objektivave në Kupë. Të shpresojmë që kthesa të vijë në ndeshjen e kampionatit që kemi në fundjavë”.

 H. Sensoj (Trajner i Bylis):

“Sot ka qenë një ndeshje më shumë për të fituar vetëbesimin nga ana e të dy skuadrave pasi të dyja ne vinim nga humbjet në kampionat. Unë nuk jam aspak i kënaqur me barazimin pasi ne e merituam fitoren pasi patëm dhe krijuam raste më shumë se Vllaznisë. Shkodranët momentalisht janë në krizë dhe uroj që ato të dalin sa më shpejt. Një ekip i madh dallohet atëherë kur arrin të dalë sa më shpejt nga kriza. Përsa i përket Kupës ne do të kërkojmë të shkojmë sa më gjatë. Si pretendentë të grupit tonë për të dalë më tej shoh Vllazninë dhe Bylisin”.

Komentet