Te Vllaznia nuk do ketë më asnjë problem vonesash për marrjen e rrogave. Garancia e dhënë më parë nga Bashkia Shkodër, që është pronarja aktuale e klubit kuqeblu, ka filluar të konkretizohet me veprimet e para. Ditën e djeshme ka marrë rrogat një pjesë e skuadrës, ajo që paguhet në lekë, ndërsa ditën e nesërme do ta bëjë një gjë të tillë edhe pjesa tjetër e lojtarëve, që në kontrata e ka pagesën me euro. Në këtë mënyrë, frika e futbollistëve se shtyrja e tyre do të ndodhte sërish, ka marrë fund.
Në fakt, në fillim të javës pati pak dyshime në këtë mes, sepse drejtues të klubit që kishin premtuar marrjen e tyre në datat 5-10, sipas kontratave, u kishin thënë se ishte bërë një gabim në dokumentacion nga ekonomistja e klubit. Dikush e besoi këtë gjë, dikush jo, megjithatë marrja e tyre dje tregon se tashmë gjërat te Vllaznia po hyjnë në shinat e duhura.
Për më tepër, rrogat e para me presidencën e re janë marrë na bankë dhe po ashtu, tani edhe të gjithë futbollistët dhe pjesëtarët e stafit do jenë edhe të siguruar. Çka do të thotë se në futbollin shkodran ka filluar të mbizotërojë rregulli dhe ligji.
Kanë qenë vetë disa prej futbollistëve që e kanë bërë publik faktin e marrjes së rrogës në bankë, përpara fillimit të seancës së djeshme stërvitore. Kjo gjë ka qetësuar edhe pjesën tjetër të lojtarëve dhe ata tashmë e kanë mendjen më të qetë. Në muajt e ardhshëm nuk do ketë më asnjë vonesë, sepse në datat e caktuara futbollistët mjafton të shkojnë në bankë dhe do të marrin paratë që kanë të nënshkruara në kontratë.
Por përveç rrogave, shumë shpejt te Vllaznia do të ketë edhe një rregullore të re për punën e shpërblimeve për rezultatet pozitive. Për këtë arsye, paradreken e djeshme krerët e klubit kanë thirrur në zyrën e tyre trajnerin Josa dhe bashkë është diskutuar mbi mënyrën si do të shpërblehet skuadra në vazhdim. Këto gjëra i ka bërë të ditura vetë trajneri Josa në prononcimin e tij për “Sporti Shqiptar”, kur ka thënë:
“Drejtuesit e bashkisë që tashmë po merren edhe me drejtimin e klubit më thirrën e më kërkuan mendim për mënyrën si do të përcaktojmë rregulloren e premiove. Unë bëra propozimin tim, ndërkohë që për vlerat e premios do të vendosë bashkia në bazë të fondeve që do kenë në dispozicion. Mendoj se po sanksionohen shumë gjëra ashtu siç duhet dhe skuadra ka nevojë të ketë garanci në këtë mes, sepse do punojë edhe më e qetë.
Do formulohet një rregullore e brendshme për skuadrën, e cila do firmoset nga dy kapitenët, nga unë si trajner dhe drejtuesit e klubit dhe në bazë të saj do të vazhdojmë punën, duke i pasur të qarta të gjitha gjërat, detyrimet tona, por edhe përfitimet.” Me rregullimin e këtyre gjërave tashmë pritet që edhe futbollistët të jenë më të qetë dhe të bëjnë më të mirën për skuadrën në çdo ndeshje që do luajnë, duke nisur nga ajo e kësaj jave me Kamzë
Komentet