Sezon i ri, skema të reja për Vllazninë. Të paktën këtë ide duket se ka trajneri Josa vetëm 8 ditë përpara nisjes së kampionatit të ri. Janë dy firmat e fundit të merkatos së kësaj skuadre, ajo e tiranasit Muça dhe ajo e shkodranit Sinani, që të çojnë në këtë përfundim. Nëse Josa vendosi të marrë tiranasin Muça përpara Mihanit apo Amburesë, e bëri me një qëllim të caktuar.

Sepse ish-lojtari i Tiranës i përshtatet mirë skemës së lojës me të cilën Vllaznia mund të luajë në sezonin e ri. Lojtari i sapoardhur, edhe në pjesën e dytë të miqësores së fundit me Adën u vendos në një pozicion të tillë, për të aplikuar mesfushën me tre lojtarë. “Muça luan mirë para mbrojtjes dhe në skemën me tre mesfushorë dhe tre sulmues. Ai është vendi ideal për të në fushë dhe aty mund të luajë edhe në të ardhmen,” - ka thënë trajneri, i cili e njeh mirë këtë lojtar.

Kjo do të thotë se një vendosje e tillë me tre lojtarë në mesfushë, e zhvlerëson mungesën e mesfushorit të majtë, që për momentin nuk është në këtë skuadër. Duke qenë kështu, me Muçën para mbrojtjes, Belishën të spostuar pak në të majtë dhe Gocajn pak në të djathtë, ky repart kthehet në një “postobllok” të vërtetë për kundërshtarin, sepse të tre ata futbollistë, i zbatojnë më së miri detyrat mbrojtëse.

Me një vendosje të tillë, atëherë lind mundësia që edhe në sulm të luhet me një “treshe vrasëse”. Vioresin Sinani, Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi, duke luajtur të tre së bashku, mund të jenë një problem i madh për të gjitha ekipet. Me kapitenin në majë të manovrës sulmuese dhe dy të tjerët pak më të tërhequr, do të ishte një Vllazni e frikshme.

Problemi i vetëm është ardhja në formën më të mirë e Sinanit, i cili prej disa kohësh ka zhvilluar vetëm stërvitje individuale larg ekipit. Nëse ekipet e tjera vuajnë për sulmues cilësorë, shkodranët duhet të krenohen me këtë treshe. Janë lojtarë shumë të mirë dhe me siguri që me një bashkëveprim të mirë, mund “t’ia nxijnë jetën” çdo mbrojtësi kundërshtar. Josa, megjithatë, para se të vendosë për të luajtur në këtë mënyrë, do t’i shohë mirë gjërat.

Nëse në Shkodër mund të luhet në një mënyrë të tillë, në ndeshjet jashtë ndoshta duhen ndryshuar disa gjëra dhe me shumë mundësi do luhet sikur sezonin e kaluar, me një sulmues të deklaruar dhe një pas tij. E rëndësishme është që Vllaznia thuajse e ka përvijuar formacionin e saj kryesor, atë me të cilin do të përballojë sezonin e ri futbollistik. Stafi drejtues ka shumë besim edhe tek elementi i ri, i cili premton shumë për të ardhmen dhe është një garanci e madhe për skuadrën.

Komentet