Java e 17-të e superligës ka shënuar edhe shkarkimin e radhës të trajnerëve. Menjëherë pas barazimit 2-2 me Flamurtarin, në stadiumin “Loro Borici“, Vllaznia ka bërë “kurbanin“ e radhës, në prag të Krishtlindjeve. Presidenti Valter Fushaj ka shkarkuar trajnerin Roland Luci, me motivacionin “rezultate të dobëta“. Bashkë me Lucin është shkarkuar edhe tërë stafi teknik kuqeblu. Kësisoji, stoli i Vllaznisë ka “ngrënë” dy “koka” trajnerësh. Pas javës së 5-të është shkarkuar Hasan Lika, që e kishte marrë drejtimin e shkodranëve para ndeshjeve të Kupave të Europës, ndërkohë që pas javës së 17-të të njëjtin fat ka pësuar edhe Roland Luci, i ardhur nga Austria, ku jeton prej vitesh, si shpëtimtari i kuqebluve. Megjithatë, pavarësisht këtyrë rrokadave të trajnerëve, situata te Vllaznia është kritike, rezultatet janë të dobëta dhe qetësia nuk është rikthyer asnjëherë në këtë edicion. Tifozëria shkodrane ka kontestuar fort presidencën e klubit, si shkaktare të kësaj situate, ngaqë kanë bërë merkato të dobët dhe të pastudiuar mirë. Mesa duket, mbyllja e këtij viti futbollistik për Vllazninë, që do të thotë edhe hapja e merkatos së dimrit, ka nisur me një largim nga skuadra kuqeblu. Që është trajneri Luci, i cili do të zëvendësohet nga dikush tjetër, për të udhëhequr edhe merkaton e janarit dhe përforcuar Vllazninë. Një nga emrat e përfolur ditët e fundit është ai i Edi Martinit, futbollistit të njohur të kësaj skuadre, që sezonin e shkuar ngjiti Lacin në superligë. Sidoqoftë, asgjë konkrete dhe zyrtare nuk ka për momentin, përvec shkarkimit të Lucit, bashkë me stafin e tij teknik.

sporti shqiptar