Shkodranët më në fund i gjejnë “ilaçin” Teutës, teksa nxjerrin një ndeshje vërtet me karakter

Vllaznia ‑ Teuta 2‑1

Shënues: Bala 18′, Muçollari 29′, Alikaj 58′

Vllaznia: Bishani, Smajli, Rajoviç, E.Beqiri, Mrvaljeviç, Nallbani (Osja 85′), Alikaj, Hallaçi, Shtubina (Djepaxhia 46′), Bala, Galica (Rustemi 76′). Trajner: R.Luçi.

Teuta: Rizvani, Stafa, Likmeta, Dushku, Jakupi, Muçollari, Hodo, Xhemalaj (Rakipi 46′), Hoxha (Feka 85′), Deliallisi, Mile (Mersini 75′). Trajner: M.Josa.

Gjyqtarë: S.Jareci, A.Pregja, R.Avdo (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Smajli, Mrvaljeviç, Likmeta

“Radiografia”

3′- Alikaj godet fort një top të kthyer nga zona dhe Rizvani e grushton mjaft bukur.

5′- Bala nga jashtë zone mundohet të godasë fort, por pret sërish portieri durrsak.

15′- Galica me një roveshatë të bukur kërkon të gjejë të papërgatitur portierin mik, por topi përfundon jashtë.

16′- Kombinim i bukur Galica‑Bala, por topi zotërohet nga Rizvani para këtij të fundit.

18′- Goditje këndi për Vllazninë. Kroson Alikaj dhe Bala kërcen me kokë mbi të gjithë, duke e dërguar topin në rrjetë. 1‑0 për Vllazninë.

23′- Goditje dënimi për vendësit. Shtubina ka nisur një top në zonë dhe aty sërish Bala godet me kokë, por këtë herë pret Rizvani.

29′- Goditje dënimi për miqtë. Muçollari e ekzekuton në mënyrë të përkryer, duke e dërguar topin në trekëndësh. Teuta barazon në 1‑1. 32′- Bala ekzekuton një goditje dënimi rreth 30 metra larg portës durrsake, gjuan fort, por topi përfundon jashtë.

57′- Smajli, jashtë zonës së rreptësisë, gjuan shumë fuqishëm me të majtën e tij, goditje që pritet shumë bukur nga portieri Rizvani.

58′- Alikaj, nga 22‑23 metra, gjuan fort me të majtën, Rizvani nuk vendoset mirë në pozicion dhe topi përfundon në rrjetë. 2‑1 për Vllazninë.

85′- Goditje dënimi për Vllazninë, kroson Alikaj dhe Mrvaljeviç godet me kokë, por topi përfundon jashtë.

92′- Një top që shkon në zonën shkodrane dhe Bishani del i pasigurt. Një nga futbollistët e Teutës e godet drejt portës, por e largon në një moment deciziv i riu Djepaxhia.

Komenti

Tjetër fitore e mundimshme e Vllaznisë. Sërish ankth në minutat e fundit dhe duket se do të kemi të bëjmë me një sezon të tërin në ankth për kuqeblutë. I riu Djepaxhia ka larguar një top vendimtar që po shkonte drejt portës pikërisht në minutat shtesë. Skuadra shkodrane megjithatë ka luajtur më mirë se ndeshjet e tjera këtë herë. E ka kontrolluar lojën dhe duhej ta kishte mbyllur më shpejt ndeshjen me rastet që ka krijuar. Vllaznia e ka nisur në sulm ndeshjen, duke kërkuar të shënojë sa më shpejt.

Ka krijuar disa raste dhe për rrjedhojë arrin të shënojë edhe golin e parë me anë të Balës. Ky lojtar mund të kishte shënuar edhe një gol tjetër pak minuta më pas, por këtë herë nuk ia arriti. Ndërkohë, Teuta që deri në minutën e 25‑të, veçse mbrohej, sikur zgjohet dhe kërkon të shohë më tepër drejt portës vendase. Në të vetmin rast që i krijohet në pjesën e parë, arrin të shënojë golin e barazimit. Por më tepër sesa meritë e skuadrës mike, është një kryevepër e Muçollarit, që ekzekuton në mënyrë të shkëlqyer një goditje dënimi dhe topi përfundon në trekëndësh.

Pas këtij goli, Vllaznia sikur zgjohet, por gjuajtja e Galicës prek vetëm rrjetën e jashtme. Pas këtij rasti, loja e vendësve sikur përgjumet disi, ndërkohë që miqtë shohin edhe më tepër drejt portës së Bishanit. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 1‑1. E dyta nis me nga një zëvendësim për të dyja skuadrat, teksa Shtubina i lë vendin të riut Djepaxhia te Vllaznia dhe Xhemalaj për Rakiqin te Teuta.

Edhe kjo pjesë nis më mirë për Vllazninë. Ajo nis ta kontrollojë lojën menjëherë, ushtron pak presion për të mbërritur te goli i dytë me autor Alikajn. Ky gol do të kthente qetësinë në kampin shkodran, por çuditërisht do t’i kënaqte lojtarët e tyre, duke mos i bërë këmbëngulës për të kërkuar edhe golin e tretë dhe të qetësisë.

Lëshon jo pak në lojë dhe për rrjedhojë trajneri Luçi ndërhyn, duke futur në lojë dy mesfushorë, Rustemin dhe Osjen, në mënyrë që skuadra e tij të zotërojë mesfushën. Pavarësisht kësaj, paniku do të ekzistonte deri në vërshëllimën përfundimtare të Jarecit. Vllaznia fiton dhe ngjitet në kuotën e 18 pikëve dhe duket se tashmë gjërat po fillojnë të rregullohen për të.

Natyrisht, nëse kalon në mesjavë edhe Flamurtarin, do të ishte edhe më mirë. Një fitore të fund të këtij viti, do të bënte që fjala “mbijetesë” të mos përmendej më. Ndërsa Teuta frenohet në ecurinë e saj, duke mbetur disi mbrapa nga skuadrat që kërkojnë të kapin Europën, megjithatë kthehet në fushën e vet në mesjavë, ku përballë do të gjejë Shkumbinin.

Një fitore do ta ngjiste sërish në pozita komode. Në “Niko Dovana” pak gabuar këtë sezon dhe prandaj do të kërkojë sërish fitoren. Problem mbeten terrenet sportive, kjo për të gjitha fushat e vendit, ku intensiteti i ndeshjeve tani në fund të vitit dhe reshjet e mëdha, kanë bërë që në shumë fusha të luhet më shumë në baltë. Në “Loro Boriçi” ka qenë një fushë e rënduar, por gjithsesi është luajtur futboll dhe të dyja palët nuk janë ankuar për këtë.

Deklarojnë…

Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: “Edhe këtë herë qëndruam me ankth deri në fund dhe kuptohet që kështu po na ndodh disa herë. Kjo do të thotë se diferencat mes skuadrave nuk janë shumë të mëdha, saqë t’i shënosh kundërshtarit dy‑tre gola shumë shpejt dhe ta mbyllësh ndeshjen. Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, teksa e kontrolluam lojën, por çuditërisht edhe kemi lëshuar, duke i dhënë mundësi kundërshtarit të na barazonte në pjesën e parë dhe po ashtu edhe në të dytën. Djepaxhia bëri detyrën në fund të ndeshjes me atë top që largoi nga porta, sepse në fund të fundit ai për këtë punë hyri në fushë. Mendoj se do ta kalojmë me sukses edhe Flamurtarin.”

Mirel Josa, trajner i Teutës: “Ka qenë një takim me një luftë të fortë sportive. Jam i kënaqur nga loja e ekipit tim, që pavarësisht terrenit të rënduar, u mundua të bënte gjëra të mira në fushë. Reparti i mesfushës ndoshta nuk ishte në lartësinë e duhur, sepse duhej të ishte më i qetë në kontrollin e topit dhe nisjen e sulemeve. Nuk mendoj se ndikuan mungesat, sepse ata që luajtën dhanë më të mirën e tyre.”