Vllaznia, vijnë 4 futbollistët e parë në provë
Bëhet fjalë për portierin malazez Andria Dragojeviç, për dy shqiptarët nga Maqedonia, Valdet Osmani dhe Xhelil Hasani, si dhe për shkodranin e ardhur nga Italia, Benkert Abdija Drejtuesit e Vllaznisë e kanë deklaruar hapur se duan të marrin një portier me përvojë, ngaqë Selimaj pritet të mos jetë i gatshëm për shkak të operacionit Te Vllaznia “vërshojnë” futbollistët në provë. Vetëm ditën e sotme të pranishëm në stërvitje kanë qenë katër futbollistë. Bëhet fjalë për portierin malazez Andria Dragojeviç, për dy shqiptarët nga Maqedonia, Valdet Osmani dhe Xhelil Hasani, si dhe për shkodranin e ardhur nga Italia, Benkert Abdija. Të katër futbollistët, nga dita e sotme, kanë nisur provën, duke u vënë menjëherë në punë për të treguar vlerat e tyre nga ana e trajnerit Zmijani dhe e stafit të tij. Natyrisht që vëmendja kryesore ka qenë e përqendruar te portieri i sapoardhur. Dragojeviç mësohet se është 23 vjeç dhe në karrierën e tij më shumë ka luajtur jashtë vendit. Malazezi, i lindur në Podgoricë, ka qenë pjesë e OFK Beograd pak sezone më parë, ndërkohë që në sezonin e fundit ka luajtur me ekipin Velezh Mostar në Bosnjë. Drejtuesit e Vllaznisë e kanë deklaruar hapur se duan të marrin një portier me përvojë, ngaqë Selimaj pritet të mos jetë i gatshëm deri në shtator apo edhe më tutje, për shkak të operacionit të kryer në gjurin e djathtë.