Ka folur edhe trajneri Cungu, i cili ka treguar pse e ka marrë përsipër një sfidë të vështirë. “Së pari, do t’i uroj një vit të mbarë të gjithë opinionit sportdashës shkodran. Në këtë kuadër, një falënderim për bashkinë, veçanërisht për zonjën Ademi. Emërimin trajner i Vllaznisë e përkthej një respekt dhe nder për mua, pasi do të drejtoj një emër të madh të futbollit shqiptar. Eshtë një përgjegjësi tepër e madhe, duke pasur parasysh kushtet jo fort komode, ku ndodhet ekipi. Dëshira ka qenë gjithmonë e madhe, jo vetëm e imja, por e çdo shkodrani, madje e çdo shqiptari, për të pasur pjesë të vetën, nëse mund ta them kështu, në karrierë emrin e Vllaznisë. Jam mësuar të përballem me vështirësi, jam mësuar me sfida dhe besoj se kam marrë përsipër sfida apo aventura më mirë me thënë më të rrezikshme në karrierën sportive, jo vetëm si lojtar, por edhe si trajner, që ju besoj se i dini. Kërkoj durim, jo vetëm nga ju miqtë e medieve, por njëkohësisht edhe nga opinioni sportiv. Ndryshimi nuk vjen për një ditë, askush prej nesh nuk ka shkopin magjik për ta ndryshuar për një ditë një situatë të tillë, aq më tepër kur ekipi ndodhet në fundin e tabelës. Pra, duhet durim, por jam i bindur që në fund do t’ia dalim, me ndihmën e të gjithëve, duke filluar nga kryetarja e bashkisë, patjetër të bordit, kolegëve të mi, sportistëve, medies dhe në veçanti publikut dhe dashamirësve të futbollit shkodran” – tha trajneri shkodran.