Sinani: Vllaznia të synojë me çdo kusht finalen e Kupës
Ecuria e Vllaznisë duket e pëlqyeshme në këtë sezon dhe kuptohet që duhet të vazhdojë në të njëjtën mënyrë. Një nga njerëzit që po i qëndron afër ekipit është golashënuesi më i mirë në historinë e këtij klubi, Vioresin Sinani. “Ekipi është në një fazë të mirë. Ai ka një gjendje të mirë dhe lojtarët po fitojnë besim gjithnjë e më shumë, se mund të bëjnë edhe diçka më tepër sesa deri tani. Dua të evidentoj 3-4 lojtarë, që kam dëshirë t’i përmend për atë që po japin në fushë. Duke filluar nga kapiteni Shtubina, Bardulla e Cicmil, të cilët për mua po japin maksimumin në çdo ndeshje. Kjo nuk do të thotë se të tjerët nuk kanë dhënë më të mirën, por këto që përmenda më sipër kanë dhënë diçka më shumë. Kanë shfaqur ego dhe grintë maksimale në fushë. Ata janë boshti i ekipit dhe, nëse janë mirë, i japin garanci ekipit. Vllaznia duhet të pretendojë të bëjë më të mirën në kampionat, ndërkohë që duhet të synojë medoemos shkuarjen deri në finale të kupës, sepse janë të gjitha shanset,” – ka thënë ish-numri 9 i kuqebluve.