E shtune 6 Dhjetor 2008, Stadiumi "Loni Papuçiu", Fier


 Apolonia - Vllaznia


1 - 2

Shënues : Cerçizi 56' / Sinani 2' e 18'

Apolonia:

Dine, Spaho, Shoshi, Sreçkoviç, Kelmendi, Haxhibuliç, Asllani (Çerçizi 46′), Meto (Roshi 63′), Mirçeta (Elmazi 46′), Dhrami, Bërkiç. Trajner: E.Karishik

Vllaznia:

Grima, Smajli, Osja, Lici, Bashiç, Shtubina (Raboshta 46′), Nallbani, Toçi, Hoti, Boadu, Sinani (Guri 89′). Trajner: A. Canaj

Kartone te verdhë : -

Kartone të kuq : -

Gjyqtarë : K.Meta, S.Maloku, S.Avdo (Tiranë)


Radiografia:


2′ Shkodranët kanë organizuar një sulm të shpejtë nga e djathta. Boadu ka gjetur goleadorin Sinani, i cili ka shfrytëzuar siç duhet një dalje të gabuar të portierit Dine dhe ka përshëndetur rrjetën. 0-1 për Vllazninë.
8′ Meto ndodhet në një pozicion të volitshëm shënimi, por është nxituar dhe ka gjuajtur mbi shtyllën traversale.
12′ Asllani ka krosuar saktë te Bërkiç. Serbi ka gjuajtur me kokë dhe topi shkon ngjitur me traun e portës së Grimës.
18′ Edhe një herë tjetër dyshja Boadu Sinani bëhet fatale për fierakët. Autori i golit të parë ka marrë një top të shkëlqyer nga Boadu dhe, i ndodhur mbi vijën e zonës, gjuan fort tokazi duke e dërguar topin drejtpërsëdrejti në rrjetë. 0-2 për Vllazninë.
20′ Haxhibuliç është shërbyer nga Bërkiç dhe gjuan nga rreth 20 metra, një top që pritet bukur nga portieri shkodran Grima.
22′ Një kundërzbritje e shpejtë e miqve ka nxjerrë të lirë Nallbanin. Ky gjuan nga një pozicion i volitshëm për të shënuar, por Dine ka reaguar mjaft mirë.
28′ Boadu ndërmerr një aksion personal të shpejtë, driblon një mbrojtës më pas dhe portierin Dine, por gjuajtja e tij është e gabuar dhe përfundon jashtë katërkëndshit të portës.
30′ 33′ Janë tri raste të mira të fierakëve me anë të Mirçetës, Dhramit e Asllanit, që nuk arrijnë të shënojnë dot në portën shkodrane.
41′ Grima ka pritur një gjuajtje të fortë të Dhramit nga distanca. 44′ Sulm i shpejtë i Apolonisë nga e djathta, që finalizohet me një gjuajtje të bukur të Bërkiçit me kokë, por pret Grima.
47′ Çerçizi, i sapofutur në lojë, pasi driblon një mbrojtës mik, gjuan me tepër forcë, por Grima sërish tregon formën e tij të mirë.
54′ Haxhibuliç ka tronditur shtyllën traversale të portës shkodrane, pas një pasimi të bukur të marrë nga Kelmendi.
56′ Kelmendi ekzekuton një goditje dënimi, duke e dërguar topin në zonë te Çerçizi, i cili i është vjedhur bukur mbrojtjes mike dhe e përcjell topin në rrjetën e Grimës. Apolonia ngushton në 1 2.
58′ Sinani ka marrë një top nga Nallbani, gjuan nga rreth 20 metra, por Dine është akorduar në kohë.
70′ Tjetër sulmi i shpejt i Apolonisë, që mbyllet me një gjuajtje të Dhramit, e cila grushtohet nga Grima.
76′ Dyshja Bërkiç Haxhibuliç dhurojnë momente të bukura. Sulmuesi Bërkiç ka gjuajtur rreptë në hyrje të zonës dhe sërish ka qenë Grima që ka reflektuar shkëlqyeshëm.
84′ Spaho ndërmerr një aksion nga e djathta, pason te Roshi dhe gjuajtja e këtij të fundit ka gjetur edhe një herë tjetër gatishmërinë e Grimës.
87′ Haxhibuliç pason te Roshi në hyrje të zonës, që gjuan dhe Grima e devijon topin në korner.
90′ Bërkiç i është shmangur një mbrojtësi shkodran, por nuk ka shënuar dot përballë “gardianit” mik.

Komenti:

Apolonia nuk e ka mbledhur ende veten nga ngjarjet e javës së kaluar dhe për pasojë përsëri ka humbur. Përballë kryesuesve shkodranë, edhe pse janë përpjekur për të dalë në lojën e tyre, fierakët nuk kanë arritur të marrin as minimalen, së paku një pikë. Në pjesën më të madhe të lojës, vendësit kanë qenë kërkues, edhe pse janë goditur shpejt me dy gola të spikatësit Sinani, që bën rikthimin më të mirë në fushën e lojës.

Vllaznia ka arritur ta menaxhojë mirë avantazhin e krijuar dhe ka qenë e qetë në situatat e lojës, duke u bërë ballë siç duhet presioneve të vazhdueshme të sulmeve të Apolonisë. Kanë qenë dy momente pasigurie të mbrojtjes fierake në dy raste, të cilat janë shfrytëzuar në maksimum nga Sinani dhe kjo ka qenë një goditje shokuese për skuadrën e Karishikut.

Pjesa e parë ka pasur çaste të mira për Apoloninë, por nuk është gjetur rruga e rrjetës. Ndryshe do të ishte pjesa e dytë, ku fierakët arrijnë ta ngushtojnë diferencën e golave pas shtimit të përpjekjeve të tyre, në minutën e 56-të me anë të Çerçizit, pas një goditjeje dënimi të Kelmendit.

Pas golit, takim u hap sërish dhe Apolonia fiton më tepër besim në vetvete dhe guxon për të goditur sërish dhe rastet nuk do të mungojnë, por Bërkiç, Dhrami, Roshi e të tjerë tregohen të pasaktë para portës shkodrane, ose bllokohen nga portieri Grima, një nga më të mirët në fushën e takimit. Shkodranët nuk kanë lejuar një tjetër përsëritje të minutës së 56 të dhe kanë arritur ta ruajnë avantazhin, i cili i ka mbajtur sërish në pozitat e kruesuesit, paçka rezultatit të ndeshjes Tirana Partizani.

Nga ana tjetër, Apolonia i ka kompromentuar mjaft pozitat e saj me këtë humbje, pasi gjendja në vendet e fundit në tabelë e shton edhe më tepër problematikën e fierakëve. Pavarësisht humbjes, loja e Apolonisë duhet thënë se nuk ka qenë në pozita inferiore ndaj Vllaznisë, e cila e siguroi fitoren e saj falë eksperiencës dhe cilësisë së futbollistëve që ka në përbërje. Për fierakët, del si detyrë përgatitja siç duhet e javëve të ardhshme, për të mos pasur të tjera rezultate të tjera negative, gjë që do të çonte në përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes së saj.


Esat Karashik, trajner i Apolonisë:

"Ishte një ndeshje e vështirë për ne, pasi luajtëm me skuadrën që kryeson kampionatin, që e tregoi mirë veten dhe kishte kualitete brenda saj. Kjo bëri që nga pakujdesia e treguar në mbrojtje të ndëshkoheshim shumë shpejt, brenda 18 minutash, me dy gola. Reaguam në pjesën e parë, por jo me forcën e duhur. Në pjesën e dytë u munduam ta ekuilibronim lojën, por miqtë me eksperiencën e tyre ditën ta menaxhonin rezultatin. Ekipi ynë është i ri dhe pothuajse në krijim. Një ndër arsyet e kësaj humbjeje është dhe zhvillimi i ndeshjes së kupës në mesjavë me Shkumbinin, që u zhvillua në një terren tepër të rënduar e të vështirë."

Agim Canaj, trajner i Vllaznisë :

"ishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, pavarësisht mungesave që kishim, pasi edhe në ndeshjen e fazës së parë fierakët në Shkodër treguan një futboll të bukur e në rritje. Kjo bëri që t’i jepnim lojës sonë që në fillim theks sulmues dhe arritëm të shënonim shpejt dy gola. Megjithatë, në rrugën e arritjes së objektivit tonë, çdo ndeshje është një finale dhe sot ne kaluam një të tillë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të ecur përpara. Për sa i përket lojës, luajtëm mirë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën lamë hapësira, duke i dhënë mundësi kundërshtarit që të na sulmonte dhe të realizonte atë gol. Dua të falënderoj Sinanin, që dhe pse i dëmtuar, shënoi një dopietë."

Sporti Shqiptar

Komentet