Trajneri i skuadrës U- 21 dhe njëkohësisht dashamirësi i futbollit shkodran Artan Bushati analizon gjendjen e Vllaznisë në këtë fillim kampionati.

Merkato – “Për mendimin tim, kjo gjendje aktuale e Vllaznisë vjen nga një merkato jo efikase e bërë nga stafi i saj, Vllaznia ka hedhur shuma të mëdha për këtë merkato dhe këto janë evidente, sepse në Shkodër kanë ardhur një sërë lojtarësh në këtë sezon futbollistik, por merkatoja e saj nuk ka qënë aspak efiçente, ngaqë lojtarët e blerë në këtë sezon nuk kanë justifikuar praninë e tyre në skuadër duke qënë kjo një nga shkaqet kryesore të rezultateve të dobëta në tre ndeshjet e para të kampionatit. Unë shoh që është blerë Leandro, por ky lojtar po jep pak, luan vërtet minuta me pikatore dhe nuk e ndihmon skuadrën. Gjithashtu edhe Delain nuk më ka pëlqyer, nuk ka treguar mentalitet fituesi në këto ndeshje. Kjo gjë po pengon aktivizimin e futbollistëve të rinj, të cilët janë shumë premtues për të ardhmen. Nuk ka klub që të jetë 100% i sukseshëm në merkato, por Vllaznia nuk ka bërë më të mirën”.

Rikthimi – “Ndoshta mund të jetë një krizë momenti, mendoj se aftësitë e teknikut Josa janë të atilla që të mund të ndryshojë situatën problematike që është aktualisht tek Vllaznia. Madje, që në këtë javë kur përballë në “Loro Boriçi” do të kenë skuadrën e Shkumbinit mund të arrihet fitorja e parë duke e çliruar edhe trajnerin nga presioni”.

Formacioni – Vërtet Vllaznia ka gabuar në merkato por unë shoh që ka aq shumë futbollistë sa në ndonjë rast edhe atë që qëndrojnë në stolin e rezervave mund të bëjnë diferencën. Kjo është gjë për t’u pasur zili, vetëm se ndonjëherë u duhet dhënë sa më shumë të gjithëve. Nuk kam asgjë me Josën, sepse në ndonjë rast ai është kushtëzuar nga politikat e merkatos së klubit”.

Sinani – “Më pëlqen ta shoh gjithnjë mirë, ai i ka të gjithë elementët për të qënë një bomber i vërtetë. Nëse nuk ka shënuar në tri javët e para nuk do të thotë detyrimisht se një gjë të tillë nuk do ta bëjë në të ardhmen”.

Sport Ekspres

Komentet