Tani duket se për Vllazninë është lënë prapa periudha e humbjes me Dinamon. Presioni që ekipit i erdhi nga ajo gjobë prej 20 mijë dollarësh e vendosur nga presidenti Fushaj, duket se dalëngadalë prej çdo futbollisti po kalohet si diçka që tashmë nuk mund të kthehet prapa. Tani, kuqeblutë duken se më shumë janë të fokusuar me atë, që do të ngjasë të shtunën e ardhshme në Tiranë, kundër Partizanit. Sipas sulmuesit gjirokastrit të ekipit kuqeblu, Arlind Nora, nga ky takim duhet të fillojë kthesa e ekipit të tij. Madje, sulmuesi është tepër optimist se Vllaznia do të arrijë të gjejë atë forcë, që i duhet për të qenë pikërisht aty ku pritet. “Nuk kemi shumë kohë për të shikuar prapa. Ajo që u bë, tani është bërë dhe nuk kthehet më. Le të mendojmë për takimin që kemi me Partizanin. Në këtë gjendje, ku jemi nuk mendoj se do të ketë tjetër alternativë për ne, për të dalë aty ku dëshirojmë përveç fitores në Tiranë. Pavarësisht se ndodhemi në një presion, që u shkaktua, si nga humbja, edhe nga vendimet e presidentit, unë, duke parë atë që shprehin shokët, mund të them se jam optimist se kthesa jonë do të fillojë që me Partizanin”,- shprehet Nora. Megjithatë, gjirokastriti duket se optimizmin dhe dëshirën e tij për të dalë nga kjo minikrizë, nuk e mbështet vetëm tek ajo, që i kërkon shpirti. Por e mbështet tek ajo, që po shprehin lojtarët kuqeblu në seancat stërvitore, pavarësisht atyre problemeve dhe atij pesimizmi që ka mbizotëruar pranë ekipit, pas vendimeve të pakthyeshme të presidentit Fushaj. “Pa përjashtuar atë që gjithsecili futbollist ka pasur në brendësinë e vet, ajo që është shprehur në seancat stërvitore ka qenë krejt tjetër. Ekipi ka pasur një impenjim total në seancat stërvitore dhe ky impenjim mendoj se ka qenë i plotë te secili prej lojtarëve. Prandaj këtu mbështetem unë, teksa them se që në këtë takim është kthesa jona. Për këtë jam optimist jo vetëm unë, por edhe mbarë grupi”,- thekson Nora. Ndërkohë, për gjirokastritin takimi me Partizanin pritet të jetë i pari në këtë sezon me minutazhin e plotë. Gjendja e lojtarit duket shumë e mirë dhe këtë e vërteton vetë ai. Megjithatë, kjo gjendje duhet të shihet në fushën e lojës. Gjirokastriti duhet thënë se është një prej afrimeve të frytshme të kuqebluve në këtë sezon dhe prandaj rikuperimi i tij pritet si diçka shumë pozitive për ekipin. “Mendoj se momentalisht, të paktën deri sot, gjendja ime është shumë e mirë. Dua të shikoj veten edhe në javën në vazhdim dhe besoj se do të arrij të jem krejtësisht gati për përballjen e Tiranës me Partizanin. Shpresoj të mos kem më probleme, por vetëm të arrij rikuperimin në 100%. Vetëm kështu mund të jem në gjendje të mirë për këtë përballje”,- përfundon sulmuesi Nora.

Panorama Sport

Komentet