Që prej së shtunës nuk ka folur më. Mbase ka dashur të reflektojë për ato që nuk i ka bërë ashtu si duhet, mbase edhe i mërzitur ende nga humbja e fundit me Dinamon. Dje më në fund ka marrë "zemër" dhe ka folur. Mirel Josa, njeriu që mori mbi vete përgjegjësinë më të madhe të kësaj disfate, nuk ka pëlqyer disa komente që janë bërë në lidhje me formacionin apo skemën e lojës së ndërtuar prej tij. Duke qenë kështu, ai shpjegon edhe situatën aktuale në të cilën ndodhen kuqeblutë, por në fund është i bindur se Vllaznia mund të pretendojë fitoren ndaj Partizanin në ndeshjen e ardhshme.
 Ja si është shprehur dje Josa :

- E keni marrë veten pas atij shock-u të pësuar nga humbja me Dinamon?
 
Të them të drejtën, ende jo. Madje hera herës nuk më zë as gjumi për këtë, sepse mendoj se duhej t'i kishim bërë gjërat më ndryshe. Nuk na falej kurrsesi ajo humbje brenda në fushën tonë dhe ndaj një rivali direkt.

- Kanë kaluar disa ditë nga ajo ndeshje. A e ka harruar skuadra atë humbje?

Jo, nuk e ka harruar ende. Kjo sepse presioni mbi lojtarët dhe gjithë skuadrën është i madh, si nga ana e opinionit, ashtu dhe nga presidenti apo të tjerë. Megjithatë, edhe unë vetë si trajner dua që skuadra të mos e harrojë lehtë këtë humbje. Futbollistët pa e ndier presionin dhe domosdoshmërinë për të dalë nga kjo situatë ku jemi, vështirë se do të reagonin. Nga ana tjetër, dua të them se gjatë këtyre ditëve kam vërejtur në stërvitje edhe ndonjë shenjë talljeje apo qeshjeje nga ndonjë prej lojtarëve, çka do të thotë se këtyre futbollistëve duhet t'ua bëjmë të qartë rolin dhe kontributin që duhet të japin për Vllazninë. Ndërkohë, presidenti Fushaj e ka gjobitur ekipin me 20 mijë dollarë për atë humbje.
 
- Si kanë reaguar lojtarët ndaj këtij vendimi?
 
Në radhë të parë, dua të sqaroj se këtë vendim presidenti e ka marrë pa e diskutuar fare me mua. Kuptohet që është e drejta e tij për të vendosur, sepse është ai që jep paratë dhe vendos edhe për gjobat. Sa për lojtarët, kuptohet që do të ketë edhe reagime, sepse bëhet fjalë për anën financiare të tyre, por unë mendoj se është mirë që të ketë edhe reagime, sepse vetëm kështu zgjidhen punët dhe sqarohen gjërat.

- Ditët e fundit është diskutuar jo pak edhe mbi skemën mbi të cilën luan aktualisht Vllaznia. Ju ka shqetësuar ky fakt?

Edhe po, edhe jo. Them po, sepse shoh që diskutohet nga njerëz që nuk kanë shumë bagazh në këtë drejtim për të diskutuar mbi një skemë. Dhe këta njerëz, ashtu si në bisedat me presidentin, por edhe në mendimet e shfaqura në publik apo në media, flasin me shumë kompetencë, por pa i njohur në thellësi problemet që mund të ketë skuadra. Nga ana tjetër, nuk jam shumë i shqetësuar, sepse të gjithë ata që kanë luajtur futboll apo kanë drejtuar skuadra në fushë, kanë ndarë thuajse të njëjtin mendim me mua mbi mënyrën e drejtimit të kësaj skuadre. Prandaj dhe përgjigjja ime ndaj atyre që janë munduar të kritikojnë zgjedhjet e mia është kjo: Ata duhet të ndajnë përgjegjësinë nga gabimet. Unë sigurisht që mbaj përgjegjësi për atë punë që bëj, por kurrsesi nuk mund të pranoj se gaboj në zgjedhjet e mia. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

- Kjo javë është pushim, ndërsa të shtunën tjetër luani me Partizanin. A mundet Vllaznia në këtë situatë që është të pretendojë për ta fituar këtë ndeshje?

Mendimi im është që po. Ashtu siç do të kishim kërkuar fitoren nëse do të luanim në Shkodër, ashtu duhet të mendojmë edhe në Tiranë. Skuadra besoj se do të jetë e ndërgjegjshme plotësisht për të menduar daljen nga kjo situatë ku ndodhet dhe vetëm ajo mund ta bëjë këtë gjë. Unë personalisht kam besim se do të ndodhë kështu, sepse e di forcën e kësaj skuadre.

Sporti Shqiptar

Komentet