Deri më tani Vllaznia ka zhvilluar vetëm një miqësore, atë me Sutjeskën të Nikshiq, ku nuk ka bindur shumë. Pavarësisht premtimeve të çdo viti për një ekip pretendent, Vllaznia sivjet duket më ndryshe. Merkatoja e kërkuar nga trajneri Josa, deri diku është plotësuar me korrektesë nga ana e presidentit Fushaj. Kanë mbetur pa ardhur vetëm një mbrojtës i djathtë dhe një sulmues, dhe kjo jo për faj të buxhetit, por të situatave të krijuara në merkato. Në këto pozita, pritet fillimi i kampionatit të ri për të parë vërtet se deri ku mund të arrijë kjo skuadër, aq më tepër që nisja e tij është një "zjarr" i vërtetë, sepse luhet me Elbasanin, Dinamon dhe Partizanin. Tri sfida që kanë brenda çdo gjë, edhe faktin se mund të triumfosh në to dhe të ndjehesh menjëherë pretendent, por edhe dështimin, që mund të ketë pastaj pasoja negative në skuadër. Puna që po bëhet është shumë e matur nga ana e stafit drejtues shkodran. Pjestarët e tij kanë menduar ndryshimin e skemës së vendosjes në fushë, duke aplikuar atë 4 - 4 - 2, por kontigjenti aktual i kuqebluve nuk është se e përvetëson mirë atë.
Nuk përjashtohet as mundësia e kthimit në skemën klasike të kampionatit shqiptar, atë 3 - 5 - 2, megjithatë nëse vendoset për të ndryshuar, trajneri Josa ka në mendje një formacion me tipare sulmuese, 3 - 4 - 3. Të gjitha këto dilema do të marrin zgjidhje brenda kësaj jave, që është edhe e fundit e përgatitores në Mal të Zi. Javën që vjen nuk do ketë më kohë, sepse do të bëhen përgatitjet për ndeshjen e parë, atë me Elbasanin. Përveç dilemës së vendosjes të ekipit në fushë, janë për t\'u sqaruar gjatë kësaj jave edhe disa gjëra të tjera, siç është fati i 6-ë futbollistëve të Vllaznisë, të cilët ende nuk e dinë nëse do të jenë në gjendje të luajnë në startin e sezonit, pasi kanë probleme në këtë drejtim. Në këtë kontekst, gjërat nuk janë shumë të qeta në rradhët e stafit.
Tek ata vërehet qartë tensioni i punëve të këtyre ditëve, megjithëse kushtet që u ka krijuar klubi në Nikshiq janë të shkëlqyera. Stërvitja është bërë njëkohësisht e mirë dhe vetë futbollistët janë stërvitur me dëshirë. Problemet kryesore të skuadrës shkodrane pritet të zgjidhen, duke filluar nga dita e nesërme, kur presidenti Fushaj do të kthehet në Shqipëri, pas 10 ditësh qëndrimi në Itali. Largësia e tij nga skuadra nuk është ndjerë shumë këto ditë, pasi pranë saj, për të gjitha problemet, ka qenë një anëtar tjetër i presidencës së klubit, pikërisht Niko Fushaj, i ndihmuar dhe nga drejtori ekzekutiv, Ardian Zaganjori. Në këto pozita, kuqeblutë për dy javë janë stërvitur në mënyrën më të mirë në kompleksin sportiv "Sutjeska" të Nikshiqit, ndërkohë që edhe akomodimi ka qenë në kushte tepër komode në hotelin më të mirë të këtij qyteti, "Onogost". Në fund të kësaj jave Vllaznia do të kthehet nga Mali i Zi dhe ai që pritet të flasë më parë nga të gjithë është trajneri Mirel Josa. Para nisjes për në Nikshiq ai është shprehur se për pretendimet e skuadrës në sezonin e ri do të flasë pas përgatitores. Koha tashmë po vjen dhe trajneri sigurisht që duhet të jetë duke bërë gati edhe përgjgijen.

Sporti Shqiptar

Komentet