Me të mbërritur në Shkodër, dy lojtarët e kërkuar me ngulm në merkato nga Vllaznia, braziliani Leandro dhe kongolezi Delain, kanë nxituar të dalin në një konferencë shtypi. Në orën 17.00, në zyrat e klubit "Vllaznia" të shoqëruar nga drejtori teknik, Edi Martini, ata kanë sqaruar pozicionin e tyre në lidhje me skuadrat e mëparshme. Partizani dhe Flamurtari pretendojnë se futbollistët në fjalë e kanë prishur kontratën në mënyrë të njëanshme dhe si rrjedhojë duhet të paguajnë një dëmshpërblim të madh ndaj tyre. I pari që ka folur ka qenë Leandro da Silva, i cili tha: "Nuk e kuptoj se çfarë pretendon Partizani. Jemi ne futbollistët që duhet të ankohemi dhe jo ky klub. Personalisht, jam larguar nga kjo skuadër sezonin e kaluar, sepse nuk jam paguar ashtu siç ishte e shkruar në kontratë. Kopjen e kontratës e disponoj dhe jam i qetë për pengesat që mund të më nxjerrin. Kam ardhur në Shqipëri për të luajtur futboll, sepse me këtë sport mbaj familjen time dhe kur nuk jam paguar sigurisht që duhej të largohesha. Kohët e fundit kam luajtur në Rio de Zhaneiro me ekipin e Vaskos dhe, meqë kam luajtur me këtë ekip, kjo do të thotë se FIFA mendon se unë jam futbollist i lirë.

Tashmë kontrata me këtë ekip ka mbaruar një javë më parë dhe për të luajtur me Vllazninë sigurisht që duhet një lejekalim. Partizanit nuk i kam asnjë borxh, kështu që nuk kam dëshirë të merrem shumë me këtë çështje. Kam ardhur në Shqipëri sërish për të luajtur me Vllazninë dhe do të mundohem ta bëj sa më mirë këtë punë." I së njëjtës linjë thuajse ka qenë edhe kongolezi Delain, i cili është shkëputur sezonin e kaluar nga Flamurtari përpara fundit të sezonit dhe për këtë arsye është gjobitur nga drejtuesit e tij me 16 mijë euro. Sasha është i qetë në ato çfarë thotë, duke shpjeguar se arsyet e largimit nga Vlora kanë qenë mëse të justifikueshme. "Shuma që unë duhej të përfitoja nga kontrata me Flamurtarin nuk m\'u dha dhe këtu filluan lëkundjet me atë klub. Durimi im zgjati deri në një pikë, kur më nxorrën edhe nga shtëpia, ku unë banoja, sepse klubi nuk kishte paguar detyrimet. Duke qenë kështu ishte normale që të mos endesha rrugëve dhe u largova drejt familjes sime. Nuk është aspak normale të thuhet se unë nuk e kam respektuar kontratën.

Megjithatë, besoj se edhe federata do të më japë të drejtë dhe mund të luaj pa problem me Vllazninë, sepse për këtë punë kam ardhur deri këtu," - u shpreh Delain. Nga ana tjetër, drejtori teknik, Edi Martini, ka shpjeguar përsëri pozicionin e klubit shkodran, teksa në fund ka thënë: "Vllaznia nuk do të bëhet palë në çështjen e këtyre futbollistëve. Delain dhe Leandro vërtetë konsiderohen pjesë e jona, por pa zgjidhur problemet me klubet e tyre të mëparshme nuk do të firmosin kontratë me ne. Kjo duhet të jetë e qartë, sepse nuk ka pse të bëhemi pjesë e një çështjeje që nuk na takon ne. E vetmja kërkesë e jona është ajo në adresë të Komisionit të Disiplinës për ta sqaruar këtë punë sa më parë."

Sporti Shqiptar

Komentet