Plot 7 lojtarë do të udhëtojnë sot drejt Malit të Zi, më konkretisht drejt Nikshiqit, për t'u bashkuar në stërvitje me ekipin e Vllaznisë. Katër prej tyre do të jenë blerje të reja të kuqebluve, një futbollist tjetër pjesë e skuadrës, por që do bashkohet sot me të në stërvitje, ndërsa dy të fundit vijnë sistem zinxhir. Emrat deri diku janë të gjithë të bujshëm, duke nisur nga Leandro, Delain, Belisha, Kapaj dhe Kotrri, si dhe të rinjtë Perfati dhe Kepi. Të shoqëruar nga drejtori ekzekutiv, Zaganjori, si dhe ai teknik, Martini, këta futbollistë do të nisen sot paradite drejt kufirit malazez, me qëllim bashkimin me pjesën tjetër të ekipit, që është duke u stërvitur në kampingun e Nikshiqit. Një e treta e ekipit në këtë mënyrë do t'u bashkohet 20 futbollistëve të tjerë dhe në këtë mënyrë Vllaznia duket gjithnjë e më e kompeltuar. Sipas drejtorit teknik, Edi Martinit, ai që u mungon tashmë kuqebluve është vetëm një mbrojtës i djathtë i mirëfilltë, për të cilin do të vazhdojnë përpjekjet për ta gjetur. Në të vërtetë, drejtuesit e këtij klubi deri dje kishin menduar se e kishin gjetur këtë lojtar, teksa ishin në bisedime me kavajasin Andi Lila, por ky i fundit dje ka kthyer përfundimisht përgjigje negative. "Besoj se deri diku skuadra mund të quhet e plotë me këta lojtarë që erdhën.

Na duhet vetëm një mbrojtës i djathtë, por edhe një sulmues, nëse e kërkon me ngulm trajneri Josa. Ne jemi duke bërë përpjekjet maksimale që ekipi të jetë i plotë, sepse vetëm i tillë mund të pretendojë fitimin e trofeve, siç pretendojmë ne," ka thënë Martini në një konferencë për shtyp dje pasdite. Leandro ka mbërritur paraditen e djeshme në Rinas dhe pas tij edhe Delain. Ata do të nisin stërvitjen me Vllazninë, pasi kanë deklaruar se nuk kanë asnjë detyrim ndaj klubeve të mëparshme. Nga ana tjetër, dje pasdite ka mbaruar punë me presidentin Fushaj edhe mesfushori shkodran, Amarildo Belisha.

Dy palët kanë kontaktuar përmes telefonit me njëri tjetrin, meqë presidenti i kuqebluve ndodhet jashtë vendit dhe akordi nuk ka qenë shumë i vështirë për t'u arritur. Ish lojtari i Besës, nën shoqërinë e drejtorit teknik Martini, do niset sot drejt Nikshiqit dhe bashkë me ta edhe Kapaj, një blerje tjetër e shkodranëve. Ndërkohë, Leandro do të pajiset me një vizë për të hyrë në Mal të Zi dhe më pas do të niset edhe ai drejt këtij vendi. Ndërsa Delain dhe Kotorri kanë udhëtuar që mbrëmë drejt kampingut, ku është vendosur Vllaznia dhe janë bashkuar me të. Në këtë mënyrë, shkodranët duken më të vendosur se kurrë për të ndërtuar një ekip pretendent dhe 7 lojtarët e bashkuar sot me Vllazninë e tregojnë më së miri këtë fakt. Fluksi i madh i lojtarëve që do bashkohen me skuadrën, do të sjellë edhe largimin e ndonjë futbollisti tjetër nga grupi që është në Nikshiq.

Sporti Shqiptar

Komentet