Trajneri i kuqebluve Mirel Josa nuk është çudi që të ndryshojë skemën e lojës këtë sezon. Planet janë duke u bërë pikërisht mbi këtë ide. Madje edhe në merkato po tentohet të gjenden lojtarë që t'i përshtaten kësaj skeme të re loje. Ajo që përmendet gjatë këtyre ditëve në kampin shkodran është edhe skema e re me të cilën mendohet të luajë Vllaznia në sezonin e ri. Ndryshimi do të nisë që nga rreshtimi në mbrojtje, ku nuk do të luhet më me tre mbrojtës si deri tani, por do të kalohet në një vendosje me katër lojtarë në vijë të drejtë. Në mesfushë ndërkohë mund të aplikohen dy mënyra të luajturi. Ose më një mesfushë në formë rombi, ose me tre lojtarë në vijë të drejtë dhe një pas shpinës së dy sulmuesve. Kjo është e gjitha, e cila ende nuk ka filluar të aplikohet, sepse ende nuk ka nisur stërvitja taktike e ekipit, por kjo punë do të fillojë me të mbërritur në Nikshiq. Për këtë modul të ri loje ka kohë që flitet, që me akordin e arritur një muaj më parë mes presidentit Fushaj dhe mbrojtësit të Teutës, Kapaj.

Ky i fundit u tha që atëherë se do të vinte për të luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes, ngaqë trajneri Josa do të luajë me katër në prapavijë. Ajo çfarë po kërkohet tani është të gjendet lojtari i krahut të djathtë të këtij reparti. Karakteristikat e këtij futbollisti duhet të jenë të tilla që ai të konsiderohet "piston" i këtij krahu. Aktualisht, Vllaznia nuk e ka një futbollist me të tilla karakteristika dhe për rrjedhojë ajo ka hequr dorë edhe nga mbrojtësi i Zetës, Bullatoviç. Gjatë kësaj jave pritet që në Shkodër të mbërrijë ndonjë futbollist i huaj, i cili të mbyllë këtë boshllëk. Pak problematik duket edhe krahu i djathtë i mesfushës. Edhe për këtë vend po kërkohet një lojtar cilësor në merkato, por nëse vjen Delain, alternativë për të mbyllur këtë vend është Osja, ndërsa kongolezi mund të luajë në rolin e shkatërruesit. Për rolin e organizatorit mendohet të vijë gjatë këtyre ditëve një brazilian tjetër, jo Leandro. Nisur nga CV ja e tij mësohet se ai është 26 vjeç dhe ka një biografi sportive të pasur. Ndërkohë, edhe në sulm po vazhdohen përpjekjet për të gjetur edhe një lojtar tjetër, përveç Sinanit.

Gjithsesi, këtu Sukaj është një alternativë shumë e mirë, nëse do të zhvillojë një sezon si ai i shkuari, por megjithatë po tentohet për një emër tjetër. Mbrëmjen e së martës presidenti Fushaj ka pasur një takim me sulmuesin e Teutës, Daniel Xhafaj, të cilit i ka bërë ofertën financiare dhe pritet përgjigjja e lojtarit. Sigurisht që nuk do të mbetet me kaq, sepse po të shikohet e sigurt, është që te Vllaznia do të afrohen edhe 3 - 4 lojtarë të tjerë cilësorë. Dëshira e Josës është të ketë shumë alternativa në dispozicion, sepse kampionati është i gjatë dhe mund të ndodhin shumë gjëra të paparashikuara. E rëndësishme është që kuqeblutë janë duke ideuar një modul të ri loje, i njëjtë me atë që luhet kudo në botë. Në Shqipëri kjo është provuar herë pas here në skuadra të ndryshme, por nuk ka pasur shumë sukses. Sesa do t'ia arrijë Josa, kjo mbetet për t'u parë, sepse në të vërtetë nuk është trajneri ai që zbaton atë, por lojtarët në fushë. Këta të fundit, Vllaznia është duke i kërkuar në merkato dhe mbetet për t'u parë sesa do t'ia arrijë.

Sporti Shqiptar

Komentet