I kënaqur, ndoshta tej mase, por e ka përmbajtur veten në tribunën "VIP", përkah kolegëve kroatë. Por, pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit maltez, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, nuk e ka kontrolluar dot veten, duke iu nënshtruar një gëzimi të ligjshëm. Ka hequr xhaketën nga trupi dhe me të në dorë ka brohoritur e festuar gjatë. Një gëzim i ligjshëm, sepse skuadra e tij e ka bërë të ndihet mirë për disa çaste. Një kualifikim në kupat e Europës nuk është pak. Por numri 1 i klubit shkodran nuk mjaftohet me kaq. Ai ka thënë për "Sporti shqiptar" se Vllaznia është favorite edhe ndaj Trabzonsporit në turin tjetër. 

- Ja si është shprehur ai pas ndeshjes: Zoti Fushaj, dukeni mjaft i gëzuar nga kalimi i një turi në Intertoto...

Sigurisht që nuk ka si të jem ndryshe, sepse djemtë na kënaqën të gjithëve me kualifikimin. Në "Loro Boriçi" kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kemi fituar dhe jemi kualifikuar, duke realizuar objektivin tonë.

- Çfarë ju bëri përshtypje më tepër nga loja e Vllaznisë?

Shpirti i garës. Të gjithë lojtarët kanë luajtur mirë, kanë dhënë maksimumin në fushë dhe jo më kot i kam në skuadër. Të tillë lojtarë kam dëshiruar gjithnjë dhe ja tani ku është rezultati. Janë lojtarë me karakter edhe në futboll, që është një nga kushtet themelore për të pasur sukses. Gjatë gjithë ndeshjes kam pasur emocione të shumta, por asnjëherë nuk besoja se nuk do ta realizonim ëndrrën tonë. Besimi u shpërblye falë grintës së treguar në fushë.

- Në fillim të javës së shkuar, përveçse jeni shprehur entuziast për kalimin e Zagrebit, keni deklaruar se kishit filluar të mendonit për Trabzonsporin. Ka qenë e vërtetë kjo deklaratë?

Sigurisht që ka qenë e vërtetë. Me lojën që zhvilluam në Zagreb, ne ishim pa dyshim favoritë për kualifikimin, prandaj dhe më duhej ta thoja atë. E patë vetë që ndaj kroatëve ishim superiorë, apo jo?

- Tashmë Trabzonspori. A mbaron misioni i Vllaznisë këtu?

Jo, absolutisht jo. Këtu nuk ju jap të drejtë. Madje, do të them me plot gojën që jemi favoritë për ta kaluar edhe këtë skuadër, pavarësisht se është shumë e fortë. Ndeshjen e parë e luajmë në Turqi dhe me një rezultat të mirë atje, çdo gjë mbetet e hapur për në Shkodër, ku, me këtë tifozllëk të paparë që kemi, jemi të pathyeshëm. Unë mendoj se do ta kalojmë edhe Trabzonsporin.

- Së fundi, vetë ky kualifikim, a tregon se Vllaznia në sezonin e ri do të jetë pretendente kryesore për fitimin e titullit kampion?

Po, unë një ekip të denjë për titullin kampion po ndërtoj. Shenjat janë të mira dhe kjo u pa ndaj Zagrebit. Me disa përforcime të tjera, që do të bëjmë, besoj se do të jemi një skuadër e vështirë për t'u thyer nga të gjithë.

Sporti Shqiptar

Komentet