Besojeni ose jo, por drejtuesit e Vllaznisë nuk janë në dijeni të transferimit të mesfushorit Edon Hasani te Sepahani në Iran. Në një kohë që dje lojtari shkodran është prezantuar te skuadra e re, i shoqëruar madje nga presidenti i Sepahanit, krerët e klubit kuqeblu nuk kanë dashur ta besojnë se kjo është e vërtetë. “Panorama Sport” kontaktoi direkt me administratorin e Vllaznisë, Astrit Gjyrezi, por ky i fundit nuk pranoi të komentonte çështjen “Hasani”.

Mirëpo, më pas, përmes zëdhënësit të klubit shkodran, Gjergj Kola, u bë një reagim zyrtar sa i përket largimit të mesfushorit. “Klubi nuk është në dijeni të transferimit të Hasanit në Iran. Megjithatë, e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë se për lojtarin nuk ka asgjë të nënshkruar në kontratën me Vllazninë se mund të transferohet drejt klubeve jashtë Shqipërisë pa një dëmshpërblim”, sqaronte dje në mbrëmje klubi shkodran.

Kujtojmë që Hasani ishte ndër lojtarët më të paguar te Vllaznia, me një rrogë mujore prej 4 milionë lekësh të vjetra neto. Duket si një mister fakti që klubi shkodran “fshihet” për historinë e largimit të Hasanit, pikërisht në ditën kur ai është prezantuar te Sepahani. Ndoshta vetë futbollisti mund të ketë arritur në parim një marrëveshje me kryebashkiaken Voltana Ademi për largimin, por gjithsesi në klub nuk e konfirmojnë këtë. Zor se një futbollist profesionist si Hasani do të shkonte në Iran për të firmosur pa marrë më parë miratimin e Vllaznisë.

Panorama Sport

Komentet