Vllaznia ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Skënderbeun, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme për ecurinë e saj të mëtejshme në kampionat. Ajo që është vënë re, ka qenë shqetësimi i shfaqur nga stafi teknik për dy prej lojtarëve titullarë të ekipit. Krymi vijon të ketë një problem muskulor që nga ndeshja e Kukësit dhe po trajtohet me kujdes, ndërkohë që kapiteni Lika ka një virozë gripale. Stafi mjekësor po punon me kujdes me të dy futbollistët, në mënyrë që të bëhen gati për të dielën, megjithatë gjendja e tyre do të shihet në ditët e ardhshme dhe më pas do të vendoset nëse do të jenë në fushë apo jo.

Ajo që duhet përmendur është se klima në kampin shkodran duket shumë pozitive dhe entuziaste. Futbollistët kanë shprehur besim në vazhdimin e rezultateve pozitive dhe për këtë arsye fokusi do të jetë i përqendruar te ndeshja e së dielës ndaj Skënderbeut, ku pavarësisht emrit të kundërshtarit do të tentohet marrja e fitores. Vllaznia i ka mundësitë për ta bërë këtë gjë dhe do të kërkojë ta demonstrojë edhe në fushën e lojës. Ndërkohë dje, ekipi ka vijuar me procesin stërvitor që ka konsistuar sërish në dy seanca. Paradreke, futbollistët kanë qenë në palestër, ndërsa pasdite në fushën sportive të “Shtojit”. Pavarësisht se Vllaznia do të luajë në fushën sportive “Reshit Rusi”, sërish tekniku Gjoka vijon që të përgatisë ekipin e tij në stërvitje në një fushë me bar natyral.
​Ekipi ka zhvilluar analizën e ndeshjes së kaluar, asaj me Kukësin. Siç ka bërë të ditur vetë klubi përmes faqes së tij zyrtare, në të kanë marrë pjesë përveç futbollistëve dhe stafit teknik edhe dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka. Gjatë diskutimeve të bëra, ndeshja është konsideruar përgjithësisht si pozitive, por që ka pasur pa dyshim brenda edhe gabime, të cilat duhet punuar për t’i korrigjuar në ndeshjet e ardhshme. Madje duke kërkuar pse jo edhe një fitore në përballjen ndaj korçarëve.

Panorama Sport

Komentet