Më në fund te Vllaznia gjërat kanë nisur të vihen në vijë. Lojtarët dhe stafi teknik kanë marrë pagat e prapambetura. Kuqeblutë nuk paguheshin që nga muaji maj i këtij viti dhe tashmë situata ka ndryshuar sepse janë kanë marrë rrogat e prapambetura. Sipas burimeve pranë klubit kuqeblu, Vllaznia është paguar me dy paga, atë të muajit maj dhe atë të muajit gusht të këtij viti që nuk ishin dhënë.

“Thesi” është hapur pas miratimit të fondit prej 170 milionë lekësh të vjetër nga Këshilli Bashkiak e më pas kalimi i këtij fondi edhe në asamblenë e Vllaznia sh.a. pas miratimit, paratë mendohet se kanë kaluar në degën e thesarit të Shkodrës dhe nga aty te futbollistët dhe stafi teknik. Marrja e pagave ka sjellë optimizëm dhe të gjithë dje kanë qenë të gëzuar. Nëse deri tani janë dëgjuar vetëm ankesa për shkak të pagave të prapambetura, gjatë së shtunës gjithçka ka shkuar për së mbari.

Megjithatë, ende Vllaznia nuk ka zgjidhur përfundimisht situatën e saj financiare për shkak të bllokimit të llogarive që ka si pasojë e detyrimit prej 76 mijë euro që i ka ishkompanisë që kishte presidencën e kuqebluve, “Gea Sport”. Më 10 tetor do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Vllaznia pretendon që ta fitojë këtë gjyq në mënyrë që llogaritë e saj të zhbllokohen. Edhe pse jo e konfirmuar në rrugë zyrtare, mendohet që nga 170 milionë lekë të vjetër, 76 mijë euro janë të ngrira në bankë dhe Vllaznia nuk mund t’i tërheqë për shkak të bllokimit që ka në llogaritë bankare. Pjesa tjetër e 170 milionëve lekëve të vjetër është vënë në dispozicion të lojtarëve dhe stafit teknik duke bërë të mundur kështu likuidimin e dy pagave të prapambetura, muajit maj dhe gusht.

Ky ndryshim i situatës ekonomike në xhepin e lojtarëve kryesisht pritet që t’i japë menjëherë efektet e para. Që në ndeshjen e radhës me Flamurtarin pritet një Vllazni krejt tjetër nga ajo e fillimit të këtij kampionati. Dhënia e pagave të prapambetura ka ngrohur gjithsecilin në kampin shkodran dhe kjo pritet që të përkthehet edhe me një ndryshim total në lojën e Vllaznisë në përballjen e rëndësishme me Flamurtarin.

SENAD NIKSHIQI

Komentet