Deklaratat e Sinanit janë marrë si shembull pak kohë më parë nga trajneri Cungu, duke e evidentuar atë si një nga njerëzit që po e mbështet si duhet këtë ekip. I pyetur në lidhje me këtë gjë, ish-sulmuesi i njohur shprehet: “Kur të flas keq për Vllazninë, ta dini se ndonjë hall i madh më ka bërë. Vllaznia më ka dhënë emrin që kam, ajo më ka dhënë gjithçka, ashtu siç i kam dhënë edhe unë gjithçka. Tek ajo jam rritur, aty e kam lënë futbollin dhe nuk kam arsyen më të vogël të flas keq për të. Ne si ish-futbollistë duhet t’i qëndrojmë pranë ekipit dhe ta mbështesim atë, ashtu si dhe tifozët, sepse në fund të fundit, Vllaznia është një pjesë e rëndësishme e jetës së çdo shkodrani”.

Duke folur për kuqeblutë, kuptohet që pyetja e zakonshme është ajo e mungesës së një sulmuesi cilësor, por Sinani në lidhje me këtë çështje ka edhe një falenderim, për atë që po luan në këtë pozicion. “Shtubina është duke e bërë shumë më mirë rolin e sulmuesit, sesa gjithë sulmuesit e tjerë, që janë aktualisht pjesë e Vllaznisë. Lojtar i shpejtë, mbrojtjen e kundërshtarit e mban gjithnjë nën tension, krijon një volum të madh loje, shkon e vjen. Trajneri e fut më pas të luajë në krahë dhe përsëri jep maksimumin. Duhet vlerësuar për këtë gjë, por edhe gola shënon. Ne e dimë se duhet një sulmues cilësor për Vllazninë. Në janar do të jetë shumë e vështirë, por duhet kërkuar dhe me pak fat mund të gjendet. Vllaznia nuk shënon shumë dhe këtë gjë ajo e vuan. Shikoni ekipet e kreut. Të gjithë e kanë një sulmues cilësor, prandaj kanë edhe ato pike. Kukësi ka Pejiçin, Skënderbeu ka Salihin, Partizani ka Ekuban, ndërsa Vllaznia nuk e ka një lojtar të tillë,” – ka thënë autori i 208 golave në kampionat.

Ai sot mban edhe postin e këshilltarit bashkiak dhe shpeshherë ka ngritur zërin për të ardhmen e kuqebluve. E thotë edhe në prononcimin e tij për “telesport.al”, kur shprehet: “Investimet e Bashkisë së Shkodrës nuk kanë munguar. Ajo ka qenë superkorrekte për të gjitha kërkesat që ka pas klubi. Madje, besoj se Vllaznia është ndër klubet e vetme që është korrekt nga ana financiare, por futbolli ynë ka probleme dhe situata nga më të ndryshmet, që e bëjnë të domosdoshëm ardhjen e një presidenti në krye të klubit. Pra, Vllaznia duhet të shkojë medoemos drejt privatizimit”. 


 

Komentet