Vllaznia rikthehet të luajë në "Reshit Rusi" dhe klubi hap dyert për tifozët, në mënyrë që ata të jenë sa më të shumtë, për të kaluar pengesën “Laçi”. Një kundërshtar ky, i mjaftueshëm për t’u quajtur “macja e zezë” për kuqeblutë në vitet e fundit, sikurse u provua edhe sot. Armando Cungu kundër së shkuarës së vet, por, sikurse ka nënvizuar edhe vetë, njeh vetëm drejtuesit e Laçit, sepse skuadra me të njëjtin emër ka ndryshuar tërësisht. Ajo, madje, ishte në kërkim të golit dhe fitores së parë në këtë kampionat, të cilat i arriti pikërisht në transfertën shkodrane. Ndeshja nis me një minutë heshtje, në nderim të Esat Rakiqit, plot 33 vjet asistent trajner te Vllaznia, por e ka bërë këtë rol edhe te Laçi, një sezon, si krahu i djathtë i Edi Martinit, kur bardhezinjtë ngjiteshin në elitë, herën e fundit. Loja është e vrullshme, sidomos për vendësit, që fitojnë “një thes” me goditje këndi, çka dëshmon për ngulmimin e të besuarve të Cungut.
​Në njërën prej tyre, në minutën e 14-të, kapiteni Shtubina zhbllokon shifrat e bardha. Topi i ardhur në formë krosi goditet me kokë nga veterani kuqeblu, i cili përfiton nga hezitimi në ndërhyrje i dy qendërmbrojtësve kurbinas, dhe shënon. Çlirohen shkodranët, edhe trajneri i tyre, që kërkon tashmë zotërim e qarkullim të topit. Dhe kështu bëjnë vendësit, pa e ditur se në minutën e 24-t, do të pësonin një gol manual, i denjë për antologjinë e futbollit botëror. Faton Toski, kapiteni i Laçit, ekzekuton një goditje dënimi në mesfushë. Topi “fluturon” në ajër dhe pushon në rrjetën e Agoviç, i dalë disi përpara vijës fatale. Barazim kapitenësh, që shënohet deri në mbyllje të pjesës së parë. Për kronikë vlen të përmendet edhe minuta e 36-të, kur u dëmtua Bardulla. Ai doli me barrelë, jashtë “Reshit Rusi”, për kontroll të specializuar mjekësor në spital. Tenton të vazhdojë lojën autori i atij supergoli, Faton Toski, por në minutën e 49-të dorëzohet para lëndimit në shpatull. Në vend të tij aktivizohet Lipi.

Nuk vonon dhe Ndreu bën zëvendësimin e dytë, duke hedhur në lojë një mesfushor me tipare sulmuese, si Alked Celhaka, në vend të Abraham. Trajneri kurbinas tenton maksimumin tashmë në këtë transfertë, edhe pse vendësit kryejnë volum më të madh loje, por vuajnë në fazën finalizuese të aksioneve. Minuta e 70-të nxjerr në pah një mbrojtës bardhezi, Bruno Lulaj, që ka përparuar dhjetëra metra dhe gjendet në vendin e duhur, teksa godet me kokë dhe kalon të tijtë në epërsi. Kjo është një goditje e madhe për kuqeblutë, të cilët shfaqen shumë konfuzë, të nervozuar e pa qartësi në lojën e tyre. Trajneri Cungu provon edhe kartën “Yll Hoxha”, duke bërë një zëvendësim të zëvendësuesit Weitzer. Kjo, si pasojë e mospërshtatjes fare të mesfushorit kroat me fushën e barit artificial.
​Çerekorëshi i fundit të ndeshjes është një luftë nervash. Miqtë shtrihen shpesh në fushë, si të dëmtuar, çka irriton së tepërmi tifozërinë vendëse, por edhe lojtarët e Vllaznisë. Laçi mbrohet heroikisht, i vendosur me forca të shumta para portës së vet, duke dalë me tri pikë tepër të çmuara nga Shkodra. Një fitore që tregon përmirësimin dhe rritjen e grupit bardhezi, nga java në javë, por edhe evidenton situatën aspak të mirë të kuqebluve. Kurbinasit kapërcejnë jo pak vende, duke mos qenë më të parafundit, por tashmë lënë pas Korabin e Flamurtarin. Me 6 pikë, Laçi pozicionohet në vendin e 7-të, me një pikë më pak se Vllaznia dhe Luftëtari.

​Telesport.al

Komentet