Kuqeblutë kanë nisur stërvitjen pasditen e djeshme, teksa kanë zhvilluar seancën e parë në fushën sportive të Shtojit. Trajneri Cungu dhe ndihmësi i tij, Maxhar (ka munguar trajneri i portierëve, Dani, që kthehet pasnesër nga Franca) kanë patur në dispozicion një numër të reduktuar sportistësh, rreth 20. Ajo që ka rënë në sy ka qenë prania e Gocajt dhe Pepës, dy lojtarëve të vetëm, të ardhur në merkaton e verës, ndërkohë që kanë munguar mbrojtësit Vrapi e Marku, me të cilët akoma nuk është arritur akordi. Dhe, përderisa ata janë pa kontratë, e kanë parë të arsyeshme të mos jenë të pranishëm në stërvitje. Megjithatë, në ditët në vazhdim pritet që edhe ata të bashkohen me grupin.

Po ashtu, ka munguar mesfushori Kalaja, i cili duket se ka marrë leje te drejtuesit e klubit. Trajneri Cungu, në prononcimin e tij për gazetarët është ndalur te numri i pakët i lojtarëve në dispozicion, por me shpresë se do të shtohet në ditët në vazhdim. “Siç e shikoni, kontigjenti që kemi në dispozicion është i vogël dhe kjo vërteton më së miri atë se po hasim vështirësi në merkato. Lojtarë të caktuar, që ne kemi kërkuar, kërkojnë shifra marramendëse dhe të pajustifikueshme për kampionatin shqiptar. Ndërkohë, sa u takon futbollistëve të huaj, sigurisht që kemi dyshimet tona, prandaj kemi kërkuar t’i kemi në provë. Ky është një problem, sepse lojtarët e mirë nuk pranojnë të vijnë në prove, megjithatë po mundohemi të gjejmë ndonjë zgjidhje të ndërmjetme.

Në ditët në vijim besoj se kontigjenti do të vijë duke u rritur, sepse me shumë mundësi, edhe mbrojtësi Antonio Marku do të arrijë akordin me klubin dhe do t’i shtohet skuadrës, po ashtu edhe ndonjë futbollist tjetër. Planet e mia janë që të stërvitemi në Shkodër deri më 18 korrik, pastaj të spostohemi në Mal të Zi, ku do të qëndrojmë tri javë,” – ka thënë Cungu. Planet po bëhen, vështirësitë janë të mëdha, megjithatë për të parë Vllazninë e sezonit të ri, ndoshta duhet të presim edhe disa kohë.

 

Komentet