Vetëm 24 orë pas "alarmit" të Armando Cungut, i cili tha se ishte gati të linte drejtimin e Vllaznisë, gjërat kanë ndryshuar tërësisht në kampin kuqeblu. Ka mjaftuar ai takim i munguar dhe i paralajmëruar ditë më parë mes kreut të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi dhe teknikut Cungu, që situata të ndryshonte tërësisht. Deklaratat publike që përcillnin shqetësimin e trajnerit shkodran Armando Cungu rreth së ardhmes së Vllaznisë kanë bërë që numri një i qytetit të "lëvizë" nga vendi. Edhe pse axhenda e kryebashkiakes Ademi, njëherazi edhe presidente e Vllaznisë, vazhdonte të ishte e ngarkuar në një program të ngjeshur pune, duke konstatuar se situata te Vllaznia mund të pësonte ndonjë devijim nga projektet e hartuara në fillim të vitit, ka gjetur mundësinë që të takojë teknikun Cungu.

Takimi – Burime pranë Bashkisë Shkodër, por edhe klubit Vllaznia bëjnë me dije se Ademi është shfaqur me të njëjtin entuziazëm ashtu si edhe në ditët e para të vitit të ri 2016, kohë kur edhe i besoi drejtimin e Vllaznisë trajnerit Armando Cungu. Ashtu siç është shprehur muaj më parë, Ademi ka vijuar t’i qëndrojë atij parimi se bashkëpunimi me teknikun Cungu është një investim shumë i rëndësishëm dhe afatgjatë që Bashkia Shkodër ka ndërmarrë në këtë drejtim. Kështu, gjithnjë nga informacionet që vijnë nga takimi në fjalë ku përpos kryebashkiakes Ademi dhe trajnerit Cungu kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, shqetësimeve të shfaqura nga tekniku shkodran në lidhje me të ardhmen e skuadrës kuqeblu, kryebashkiakja-presidente Ademi i është përgjigjur dhe ofrimin e garancisë ndaj kërkesave të parashtruara në takim.

Lëkundjet – Në këtë mënyrë, të paktën për momentin duket se ka një prapakthehu të mundësisë së lëvizjes së Cungut nga drejtimi i Vllaznisë, situatë kjo që bazuar në deklaratat e vetë trajnerit Cungu u pasqyrua ashtu siç ishte në faqet e “Sport Ekspres”.

Themi për momentin sepse burime pranë trajnerit shkodran bëjnë ekziston akoma ndonjë lëkundje në këtë drejtim për sa i përket realizimit të kërkesave të tij. Dhe, kjo gjithnjë duke u bazuar te fakti që Cungu ka akoma ndonjë dyshim dhe do të vërtetohet shumë shpejt kur ai do të sjellë në Shkodër emrat që ka planifikuar për t’i bërë pjesë të skuadrës kuqeblu. Që do të thotë se nëse klubi Vllaznia dhe Bashkia Shkodër me të vërtetë do të jenë të gatshëm të ulen në tavolinë për të gjetur gjuhën e përbashkët me këto futbollistë, atëherë gjithçka pritet të jetë “OK” për vazhdimësinë.

Komentet