Tri pikët e marra në ndeshjen ndaj Flamurtarit kanë rikthyer qetësinë te kuqeblutë, por edhe te trajneri Armando Cungu, që duhet theksuar se gjatë gjithë javës ka qenë i stresuar. Kjo, edhe për shkak të problematikave që kanë shoqëruar skuadrën e tij. Për këtë arsye, pas ndeshjes, ai është shprehur i lumtur për fitoren e arritur: “Dua të falenderoj futbollistët e mi për shpirtin e garës që treguan, duke konfirmuar edhe njëherë faktin se kur vënë zemrën në fushë ia dalin ndaj çdolloj kundërshtari.

U munduam ta administrojmë siç duhet lojën dhe të tregohemi ndoshta edhe cinikë, për ta goditur ekipin vlonjat, dhe ia dolëm. Kuptohet që vlera e fitores merr edhe më shumë rëndësi nisur nga problematikat që na kanë shoqëruar gjatë gjithë javës për ndërtimin e formacionit. Ia dolëm të fitojmë falë edhe mbështetjes së publikut tonë të zjarrtë, që ndonëse në kushte aspak të favorshme atmosferike, na mbështeti fuqimisht. Ndaj, kuptohet, këtë fitore duhet ta ndajmë edhe me ta”.

Me fitoren e arritur ndaj vlonjatëve, skuadra shkodrane duket më e qetë tashmë në renditje, megjithatë Cungu nuk mendon kështu dhe bën thirrje për kujdes edhe në pesë ndeshjet e mbetura të këtij kampionati. “Nuk ka përfunduar asgjë. Thjesht kemi fituar një ndeshje ndaj një rivali direkt dhe kjo ka rëndësinë e vet, megjithatë kanë mbetur edhe pesë finale dhe nuk duhet të shpërqendrohemi për asnjë moment. Duhet të nisim të mendojmë menjëherë për ndeshjen e radhës me Laçin, sepse është një takim shumë i vështirë,” – ka thënë ai.

 

Komentet