Sulmuesi fierak Andi Ribaj është një nga futbollistët e kërkuar nga ana e Vllaznisë. Ish-lojtari i Skënderbeut dhe Apolonisë konsiderohet një nga zgjedhjet e duhura si përforcim për repartin ofensiv të kuqebluve në sezonin e ri. Së bashku me malazezin Paviçeviç dhe me të riun Çinari, ata me siguri që do të garantonin golat e duhur për këtë skuadër.

 

Trajneri Zmijani mësohet se ka kontaktuar disa herë me Ribajn dhe tashmë pritet përgjigja përfundimtare prej tij. Në fakt, vetë sulmuesi ka qenë i gatshëm të vinte në Shkodër, por situata është trazuar pas një oferte që ai ka marrë nga ekipi i Kukësit. Kjo ngaqë Pejiç është thuajse i larguar dhe drejtuesit kuksianë duan të marrin Ribajn për ta zëvendësuar.

 

Pa u sqaruar kjo çështje, vetë lojtari ka mbetur pezull dhe nuk mund të vendosë për të ardhmen e tij. Prej kësaj situate, ajo që e ka pësuar është Vllaznia. Drejtuesve të saj u duhet të presin sërish edhe për disa ditë të tjera. Ndërkohë, përveç Ribajt, shkodranët kanë kontaktuar edhe mesfushorin kosovar që luan për Kukësin, Musolli, si dhe mbrojtësin e Partizanit, Krasniqi.

 

Natyrisht që pritja do të jetë edhe për disa ditë, sepse lojtarët duken të pavendosur, ngaqë merkatoja është ende e hapur dhe kuptohet që ata duan të marrin ofertën më të mirë. Vllaznia, në fakt, nuk u ofron shumë nga ana financiare dhe për këtë arsye, asaj i duhet të presë se çfarë do bëjnë lojtarët deri në fund.

Komentet