I spikatur për teknikën dhe sidomos në përdorimin e mirëfilltë të topit, veti këto që i ka shfaqur edhe në ballafaqimet e kontrollit që po organizon tekniku Luan Zmijani, Fildishi kërkon të bindë stafin teknik për ta mbajtur në gjirin e ekipit. Për drejtuesit e e klubit kuqeblu, Fildishi nuk është i panjohur pasi ka qenë pjesë e disa seancave stërvitore të Vllaznisë edhe në merkaton e janarit, por asokohe për teknikun italian Baldo Rainieri, për vetë kohën e shkurtër në dispozicion mes dy fazave, Fildishi nuk ishte gati, sidomos në aspektin fizik për t’iu bashkangjitur formacionit të tij.

Ndërsa tani që koha deri në startin zyrtar të kampionatit ka mjaft hapësira në dispozicion, nëse treguesit teknik dhe ato fizik e bindin trajnerin Zmijani, ai mund të bëhet pjesë e Vllaznisë duke realizuar një ëndërr që siç thotë vetë ai e dëshironte që kur stërvitej me ekipet e moshave. Për të njëjtin repart, atë të mesfushës në skuadër po stërvitet edhe një tjetër lojtar i ri i moshës 20 vjeçare, Benkert Abdia, edhe ky një emigrant me familjen e tij në shtetin italian ku edhe ka luajtur në kampionatet amatore të atjeshme.

Sport Ekspres

Komentet