Ndërkohë që kuqeblutë vijojnë seancat stërvitore në fushën sportive “Reshit Rusi” në këtë periudhë post-kampionat, portieri Erind Selimaj ka udhëtuar drejt Zagrebit aty ku pasditen e së mërkurës i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Një ndërhyrje që në fakt për titullarin e formacionit kuqeblu që mbrojti me dinjitet katërkëndorin e Vllaznisë në pjesën më të madhe të kampionatit deri në momentin kur u dëmtua, duke ia dorëzuar stafetën të riut Sherri pritej të kryhej më herët. Fillimisht, Selimaj ishte nën patronazhin e mjekëve specialistë italianë të spitalit “Salus” në Tiranë të cilët ishin gati për ndërhyrje, por më pas duke vërejtur një përmirësim të pjesshëm të gjendjes së tij me kërkesën e vetë futbollistit u mundësua rikthimi në procesin stërvitor. Madje përgatitjet shkuan deri në atë masë sa trajneri i portierëve të Vllaznisë, Avenir Dani po bëhej gati ta rikthente në formacion për sfidën me Partizanin, por një tjetër kolpo në pjesën e gjurit bëri që ai ta mbyllë përfundimisht sezonin duke nisur procedurat e operacionit. Por këtë radhë me ndërmjetësimin e miqve të tij të afërt, ndërhyrje kirurgjikale u vendos të bëhej në Zagreb, pasi realisht siç thotë vetë Erindi në Tiranë nuk e morën përsipër.

Prononcimi – Në vijim të bisedës me vetë Erindin i cili ndodhet akoma në Zagreb, operacioni i kryer në kliniken private “Arithera” nga ana e doktor Sasha Jankoviç në legamentin kroçiato posterior ka kaluar me shumë sukses. Sipas Selimajt, doktor Jankoviç është shumë i njohur jo vetëm në Kroaci, por edhe më gjerë dhe merret kryesisht me operacionet e sportistëve. Më konkretisht, ai thotë se futbollisti shkodran Xhevahir Sukaj është operuar në këtë klinikë dhe falë punës profesionale të doktor Jankoviçit, gjendja e tij fizike ka shkuar në mënyrën më të mirë. I pyetur se sa do t’i duhet të qëndrojë jashtë fushës së stërvitjes, Selimaj bën të ditur se sipas rekomandimit zyrtar të mjekut atij do t’i duhet të qëndrojë për një periudhë rreth katër-pesë mujore pushim pa u bashkuar me skuadrën në mënyrë që gjuri të forcohet plotësisht për të qenë i gatshëm të rikthehet në aktivitet të plotë stërvitor me grupin e parë. Megjithatë, gjithnjë sipas bisedës që ai ka bërë me stafin mjekësor që e kanë operuar ato i kanë thënë se gjatë ecurisë së procesit të rikuperimit, doktor Jankoviç do të vijë vetë në Shkodër për ta ndjekur nga afër gjendjen e Selimajt dhe nëse gjërat do të shkojnë mirë atëherë pse jo të mos tentohet për një rikthim më të shpejtë në afat kohor. Të shtunën ai do të kthehet në Shkodër ku edhe do të nisë procesi i një terapie intensive të shërbim të gjurit duke pritur me shumë ankth rikuperimin për t’u vënë në dispozicion të Vllaznisë.

 

E ardhmja e portierit

I pyetur se si e shikon të ardhmen e tij, nëse do të jetë apo jo pjesë e Vllaznisë së re të sezonit 2015-2016, Selimaj sqaron se ka edhe një vit tjetër kontratë me Klubin e Futbollit Vllaznia dhe nuk e ka menduar në asnjë moment që të largohet nga bashkëpunimi me kuqeblutë edhe për sezonin në vijim. Madje, në bisedë e sipër Selimaj shprehet shumë optimist se do të kthehet edhe më i fortë në ruajtjen e portës kuqeblu, duke qenë i bindur se edhe Vllaznia e tij do të jetë krejt më ndryshe se sa e këtij sezoni që sapo mbyllëm.

Sport Ekspres

Komentet